
80-vjetori i rënies së heroit Gjok Doçi
Një mori ndjenjash të kaplojnë kur gjendesh në Lurën që e lindi dhe e mëkoi Heroin e Popullit, Gjokë Doçin. Ushtima e maleve e përcolli shtigjeve të atdheut, në luftë për liri. Poeti popullor Hazis Ndreu, e përjetëson më së miri figurën dhe aktin e tij sublim në vargjet e ndjera: “Njaj Gjokë Doçi, sa shpejt vikati, Batalioni i IV, gati!…Në Mallakastër, në shkrepa të thata, në rrethim u gjet Brigada, fyt a fyt e vesh më vesh, aty Gjoka u nda prej nesh, trim drague e syrrebesh!” Busti i djaloshit të ri hero vazhdon të na flasë edhe sot, shikimi i tij vizionar drejt një Shqipërie të lirë e të lulëzuar na frymëzon për t’i dedikuar jetën tonë progresit të vendit! Në mënyrë të veçantë, jeta dhe sakrifica e tij sublime janë grishje për brezin e ri, që ëndrrat, dëshirat dhe energjinë e tyre rinore t’i venë në shërbim të vendit. Sot më shumë se kurrë kujtojmë se heronjtë nuk bien, por vetëm ngrenë përmendore në zemrat e të gjithë atyre që duan komb e atdhe! Lavdi Gjokë Doçit! Lavdi heronjve!